Banka Evropiane e Investimeve ka investuar 1.2 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor në vitin 2023. Kjo shumë është 365 milionë euro më shumë se në vitin 2022, deklaruan ekspertët e Bankës Evropiane të Investimeve në konferencën e saj vjetore. Investimet janë të destinuara për projekte të qëndrueshme dhe të tranzicionit energjetik që mbështesin anëtarësimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Zv presidenti i BEI-së, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, Kyriakos Kakouris tha se vitin e kaluar janë dhënë grante në vlerë prej 475 milionë euro në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe nismës për qëndrueshmëri ekonomike.
Pjesa më e madhe e fondeve, 58%, rreth 693 milionë euro, janë të destinuara për hekurudhat në Serbi, seksioni Beograd-Nish dhe ndërlidhjes së Maqedonisë së Veriut me kufirin bullgar. Kjo bankë ka ofruar mbështetje teknike këshilluese për përgatitjen dhe zbatimin e një projekti të furnizimit me ujë në Tiranë, si dhe një linjë kredie për bizneset e vogla në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq në Shqipëri po vijojnë punimet për rindërtimin e shtrirjes 34 km të hekurudhës ndërmjet Durrësit dhe Tiranës. Pasi hekurudha të jetë rindërtuar dhe trenat e rinj të kenë ardhur, udhëtimi midis dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë do të zgjasë vetëm 20 minuta.
Projekti për rindërtimin e hekurudhave financohet nga BERZH me një kredi prej 36.9 milionë euro dhe BE-ja me një grant investimi deri në 35.5 milionë euro. Një shtesë prej 2.75 milionë euro grante nga donatorët dypalësh janë siguruar përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Banka Evropiane e Investimeve ka dhënë fianancime për të përmirësuar sistemin e shpërndarjes së ujit dhe strehimin e përballueshëm në Tiranë, zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipërinë e Veriut dhe ndërtimin e bypass-it të Vlorës.
Banka e BE-së do të japë financim shtesë për modernizimin e transportit urban në Sarajevë dhe projektin për rehabilitimin e rrugëve dhe përmirësimin e sigurisë së trafikut në Serbi.
Banka Evropiane e Investimeve ka dhënë 275 milionë euro në vitin 2023 për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në rajonin tonë. Fonde të mëdha janë dhënë për projekte në fushën e energjisë, furnizimit me ujë, shëndetësisë dhe arsimit.