KOSOVA NDIHMON DHE MBËSHTET SHQIPËRINË

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram ngushëllimi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për viktimat e tërmetit në Shqipëri. Në këtë telegram ngushëllimi, presidenti Thaçi ka thënë se populli i Kosovës bashkëndjen me vëllezërit dhe motrat matanë kufirit. Gjithashtu, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se me shqetësim po përcjell lajmet për tërmetet e njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë dhe një pjesë të Kosovës gjatë natës. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmën e saj të pakursyer popullit dhe shtetit të Shqipërisë për të tejkaluar këtë situatë të rëndë. Nuk munguan as postime të tjera nga liderë të partive politike në Kosovë, Lideri i PDK-së Kadri Veseli është shprehur i pikëlluar për jetët e humbura nga pasojat e tërmetit që goditi Shqipërinë. Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre, ndërsa ka theksuar se Kosova do të japë çdo mbështetje të nevojshme për Shqipërinë, për ta kaluar bashkë këtë dhembje.Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm në Durrës, ku lëkundjet u ndjen edhe në Kosovë. Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se sytë dhe veshët i kemi te Durrësi, te Kurbini e Thumana. Ai po ashtu u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe shërim të plagosurve e të lënduarve.Pas tërmetit të fuqishëm me 6.4 shkallë të Rihterit që goditi mëngjesin e sotëm Shqipërinë, Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje urgjente. Në këtë mbledhje, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të ndajë 500 mijë euro për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë.Po ashtu, presidenti Thaçi e ka njoftuar se njësitë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur menjëherë në përkrahje të popullsisë së zonave të dëmtuara nga tërmeti.

SHARE