Muslimanët në mbarë botën nesër do të festojnë festën e madhe islame – Fitër Bajramin.
Fitër Bajrami zgjat tre ditë dhe shënon fundin e Ramazanit.
Ramazani këtë vit ka filluar më 23 mars dhe do të përfundojë sonte, me iftar në orën 19:38.
Namazi i Bajramit të këtij viti do të falet nesër në të gjitha xhamitë e Malit të Zi në orën 06:30.
Kreu i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq, ka uruar besimtarët për Bajramin, i cili fillon sonte në perëndim të diellit, kur mbaron muaji i Ramazanit.
“Agjërimi i këtij muaji na mësoi se fitorja më e madhe është tejkalimi i dobësive, shtysave dhe epsheve të veta dhe se suksesi më i madh është krijimi i marrëdhënieve të shëndosha me vëllezërit, fqinjët dhe miqtë”, ka thënë Fejziq.
Kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviq, ka uruar reisin Rifat Fejziq dhe të gjithë besimtarët islamë për festën e Fitër Bajramit, me dëshirën për ta kaluar me shëndet, paqe dhe mirëqenie, me të dashurit e tyre.
Ajo tha se beson se gëzimi i kësaj feste të madhe do të jetë frymëzim për veprime të bashkërenduara për të forcuar tolerancën dhe për të forcuar më tej marrëdhëniet ndërfetare.
Shoqëria malazeze është një demokraci e hapur dhe e larmishme e pasuruar me vlerat civilizuese të Islamit, tha presidenti në largim i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Ai ka uruar Rifat Fejziq, reisin e Bashkësisë Islame në Mal të Zi, dhe të gjithë besimtarët për festën e Fitër Bajramit, duke u dëshiruar që festat t’i kalojnë me shëndet, lumturi dhe mirëqenie pas muajit të agjërimit, heqjes dorë dhe lutjeve.
Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, ka uruar reisin Rifat Fejziq dhe të gjithë besimtarët islamë për festën e Fitër Bajramit dhe ka uruar që ditët e festës të jenë të mbushura me vepra të mira dhe respekt të ndërsjellë.
“Dëshiroj që këtë festë të madhe ta prisni me shpirt dhe zemër të pastër dhe të përhapni mesazhin e gëzimit dhe harmonisë çdo ditë, njëlloj për të gjithë”, tha ministri Gjeka.