Pulë me Dromka

Thërrime, Rroshnica apo Dromka. Pavarësisht emrit që ndryshon sipas krahinave të ndryshme, shija e kësaj recete tradicionale shqiptare është e papërshkrueshme.

Supa e pulës me dromka është përgatitur jetë e mot nga gratë e nënat shqiptare duke trashëguar këtë traditë brez pas brezi.

Kjo supë fantastike, krahas shijes fantastike është ideale për t’u konsumuar në çdo stinë të vitit.

Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me bukë të thekur, sallata të ndryshme, të freskëta të stinës, ullinj, salcë kosi apo edhe turshi.

AgroWeb.org sugjeron më poshtë përgatitjen e supës së pulës me dromka, një mënyrë fantastike për të kënaqur nepsin dhe oreksin e familjes dhe më të dashurve.

Si Të Përgatisim Supën me Dromka

  • Një pulë ose zog fshati 1 kg
  • Katër lugë gjelle vaj ulliri
  • Kripë
  • Piper
  • 3-4 thelpinj hudhra të shtypura
  • Një lugë gjelle gjalpë të freskët
  • Lëngu i kokërr limoni

Për Dromkat

Në një tas hidhni gjashtë lugë miell dhe pak kripë.

Rrihni dy të verdha vezësh dhe shtojini tek mielli.

Përzjeini miellin me vezët me duar duke e shkoqur me dy pëllëmbët e duarve.

Bëjeni këtë proces derisa i gjithë mielli të shndërrohen në kokërriza të vogla.

Më pas, vendosini dromkat në një tavë që të pushojnë për 20 minuta.

Përgatitja e Supës

Pastroni pulën ose zogun e fshatit dhe ndajeni në copa.

Në një tenxhere, shtoni vajin e ullirit dhe copat e pulës për t’i skuqur për pak minuta nga të dyja anët.

Hidhni pak kripë dhe ujë derisa të mbulohen mirë të gjitha pjesët e pulës duke e lënë që të zjejë derisa mishi të zbutet.

Ndërkohë, në një tigan hidhni një lugë gjalpë dhe skuqni dromkat derisa të zverdhen.

Më pas, AgroWeb.org ju udhëzon t’i shtoni në tenxheren ku keni pulën dhe lëngun e saj dhe vendosni sërish në zjarr për të zjerë bashkë derisa supa të mpikset.

Sapo lëngu të jetë mpiksur dhe trashur pak shtoni hudhrat, lëngun e limonit dhe piperin e zi dhe hiqeni nga zjarri./AgroWeb.org

SHARE