Kryetari i komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj dhe kryetari i komunës së Ulqinit Omer Bajraktari uruan Kosovën me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë.
Në urimin e kryetarit Gjeloshaj thuhet:
“Në emër të Komunës së Tuzit, si dhe në emrin tim personal, shfrytëzoj rastin të uroj Presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe mbarë popullin me rastin e festës së madhe mbarëkombëtare, Ditës së Pavarësisë së Kosovës. 17 shkurti është një nga ditët më të shenjta për të gjithë ne. Kjo ditë paraqet simbolin e sakrificës shekullore të popullit tonë për liri dhe pavarësi. Lavdi e përjetshme heronjëve, dëshmorëve dhe martirëve që flijuan jetën e tyre për idealet më të larta atdhetare dhe kombëtare. Jemi krenarë të shohim se si sot Kosova po zhvillohet me hapa të mëdhenj, me një kulturë të lartë demokratike dhe me një të ardhme të vendosur në proceset evropiane dhe euroatlantike. Gëzuar 15-vjetorin e pavarësisë! Zoti e bekoftë Kosovën. Zoti e bekoftë SHBA-në. Zoti i bekoftë shqiptarët!”
Ndërsa, në urimin e kryetarit të komunës së Ulqinit Omer Bajraktari thuhet:
“Në emër të Komunës së Ulqinit dhe në emrin tim personal, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës ju uroj 15 – vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Kjo është një ditë e veçantë kur festoni pavarësinë dhe kujtoni sakrificat e shumta që janë bërë për të arritur këtë moment historik. Sot jemi së bashku për të ndarë këtë moment të madh dhe për vlerësuar rëndësinë e pavarësisë së Kosovës në historinë dhe bashkëjetesën e rajonit. Në këtë ditë, dëshiroj t’ju inkurajoj të vazhdoni të punoni së bashku për të ndërtuar një shoqëri më të mirë dhe të përkushtuar ndaj vlerave të demokracisë si pjesë e familjes së madhe evropiane. Urime 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe shumë sukses në të gjitha sfidat e ardhshme që ju presin.”