“Në Ulqin ndihemi si në shtëpinë tonë. Falënderoj të gjithë ata që hapën shtëpitë dhe zemrat e tyre për mërgimtarët nga Kosova në vitin 1999”, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Kështu ajo tha në hotelin “Plaza” në Ulqin.
Presidentja Osmani Sadriu tha se ka potencial për zgjerimin e bashkëpunimit dhe për investime nga Kosova. “Ne besojmë se statusi i shqiptarëve në Mal të Zi duhet të përmirësohet dhe Republika e Kosovës do të ndihmojë në këtë”, ka shtuar ajo. Osmani, theksoi se është nder të vizitojë Ulqinin për të parë mundësitë e thellimit të bashkëpunimit duke e ditur se Ulqini ka qenë derë e hapur në periudha të vështira të kosovarëve. “Bashkëpunimi është jashtëzakonisht i madh është një bashkëpunim që po thellohet dhe do të rritet. Me projektet infrastrukturore do të rritet bashkëpunimi tregtar dhe turizmi. Do të inkurajojmë bizneset që të investojnë sa më shumë këtu për të rritë vende të reja pune. Diskutuam edhe për tema politike sepse është me rëndësi që shqiptarët kudo që janë të kenë të drejta dhe liri themelore të nivelit më të lartë”, theksoi ajo.
Ndërsa, kryetari i komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari tha se Kosova e Ulqini kanë lidhje shumë fuqishme. “Është nder dhe kënaqësi për ne. Kishim një bisedë të frytshme dhe bashkëpunimi. Kosova e Ulqini kanë lidhje shumë të fuqishme dhe ato lidhje do të fuqizohen edhe më tutje. Ne si komunë presim edhe disa investime strategjike nga atje. Interesi i të gjithëve është që Ulqini të jetë një komunë sa më e fuqishme dhe shembull se si investimet nga Kosova do të mbeten edhe më të fuqishme. Dekada e ardhshme do të jetë dekadë e Ulqinit”, tha ai.