Sot shënohet 23 janari, Dita e gazetarëve të Malit të Zi.
Gazetarët në Mal të Zi punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, të cilat ndikohen vendimtarisht nga kushtet socio-politike në vend dhe rajon, tha kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviq. Ajo ka uruar të gjithë punonjësit e fjalës publike 23 janarin, Ditën e Gazetarëve të Malit të Zi.
„Në Mal të Zi, liria e gazetarisë është më e nevojshme se kurrë, siç është përgjegjësia për fjalën e folur dhe të shkruar,“ tha presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Në urimin e tij me rastin e 23 janarit – Ditës së Gazetarëve të Malit të Zi, ai kujtoi postulatet themelore të profesionit – ekspertizën, përgjegjësinë, korrektësinë dhe nderin.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha në mesazhin e tij të urimit se është e nevojshme të përmirësohet korniza legjislative që do të mundësojë mbrojtjen e dinjitetit të profesionit të gazetarit dhe një mjedis më të sigurt për punën e papenguar të punonjësve të medias.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj ka dërguar një mesazh urimi me rastin e 23 janarit, Ditës së Gazetarëve të Malit të Zi. „Në vendosmërinë tonë të palënkundur për të zbatuar në mënyrë të vazhdueshme politikën e administratës publike të hapur, të përgjegjshme dhe moderne si një kontribut për përmirësimin e mjedisit demokratik, ne i shohim gazetarët dhe mediat si partnerë dhe si ata që përmirësojnë dhe avancojnë,“ tha Dukaj. Ai theksoi se këmbëngulin në mbrojtjen e plotë të integritetit dhe sigurisë së gazetarëve, të cilët vetëm të çliruar nga presioni, mund të jenë, në respekt të rregulloreve dhe Kodit, një partner i besueshëm në reformën e administratës publike dhe të gjithë shoqërisë sonë.
Drejtoresha e Institutit për Media, Olivera Nikoliq, ka uruar 23 janarin – Ditën e Gazetarëve, duke thënë se trendi negativ i sulmeve ndaj gazetarëve ka vazhduar edhe vitin e kaluar. Ajo tha se mediat janë të ekspozuara ndaj sfidave dhe presioneve të shumta, se gazetarët paguhen dobët dhe në mënyrë të pamjaftueshme, si dhe janë të mbingarkuar me punë në një numër të vogël redaksish dhe të ndarë në dëm të profesionit. Prandaj, siç thekson Nikoliq, ata më shpesh janë të ekspozuar ndaj sulmeve.