ZELENSKY: AKSIDENTI FATAL ME HELIKOPTER ËSHTË PASOJË E LUFTËS

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “nuk ka aksidente në kohë lufte”, pasi 14 persona kanë vdekur si pasojë e rrëzimit të një helikopteri afër kryeqytetit ukrainas, Kiev të mërkurën. Ukraina nuk ka pretenduar përfshirjen ruse, mirëpo Zelensky i ka thënë Forumit Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos, se tragjedia ka qenë pasojë e luftës. Ministri i Brendshëm ukrainas, Denys Monastyrsky, ka vdekur bashkë me kolegët e tij. Helikopteri u rrëzua në orët e mëngjesit të së mërkurës afër Kievit dhe mes viktimave kishte edhe fëmijë. Vdekja e Monastyrskyt ka ndikim të madh në Qeverinë e Kievit, pasi Ministria e Brendshme ka detyrë të rëndësishme në ruajtjen e sigurisë dhe menaxhimin e policisë në kohë lufte. Ai ka qenë figurë e njohur përgjatë luftës, pasi ka bërë shpesh përditësimin e numrit të viktimave të shkaktuara nga sulmet ruse, prej kur Moska ka nisur luftën në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Zelensky, po ashtu, e ka shfrytëzuar mundësinë e mbajtjes së fjalimit në lidhje video në Davos për t’iu bërë thirrje aleatëve që të dërgojnë më shpejt armët në Ukrainë, para se të nisë ofensiva e re ruse. “Koha që e përdor bota e lirë për të menduar, shfrytëzohet nga shteti terrorist për të vrarë”, tha ai. Kjo deklaratë është interpretuar si kërkesë drejtuar Gjermaninë që të nxitojë për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë. Ka pasur raportime se Berlini nuk ka gatishmëri për të nisur këto pajise, nëse Shtetet e Bashkuara nuk zotohen për të dërguar në luftë tanket e tyre Abrams. Ditë më parë edhe Mbretëria e Bashkuar është zotuar se do të nisë tanket e veta në Kiev. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Ukraina do të përfitojë “më shumë armë të rënda dhe më moderne”. Ai ka thënë se vendet anëtare të aleancës veri-atlanetike, do të takohen të premten për të diskutuar se çfarë pajisje ushtarake do të dërgohen në Kiev.

SHARE