BEQIRAJ PËRFUNDON KARRIERËN ME PËRFAQËSUESEN, REKORDI I TIJ PRITET TË QËNDROJË GJATË

Rekorderi për numrin e paraqitjeve për përfaqesuesën e Malit të Zi, Fatos Beqiraj, ka bërë të ditur sot se ka përfunduar karrierën e tij me përfaqësuese. Sulmuesi kosovar ka vendosur të tërhiqet nga përfaqësuesja ku mban rekordin për numrin e paraqitjeve. 34-vjeçari Beqiraj ka luajtur për Malin e Zi plot 86 ndeshje, ndërsa ka shënuar 16 gola. Rekordi i Beqirajt sa i takon numrit të paraqitjeve për Malin e Zi pritet të qëndrojë edhe për një kohë.  “Jeta më ka mësuar se çdo tregim e ka fundin, duke përfshirë edhe tregimet më të mira. Pjesa më e mirë e tregimit tim sportiv është e lidhur me reprezentacionin e Malit të Zi, me kohën e kaluar me djem të shkëlqyeshëm, me kohën e mbushur me emocionet më të mira. Më 28 mars të vitit 2009, që tashmë duket shumë i largët, i jam bashkuar Përfaqësueses së Malit të Zi për të cilën kam dhënë çdo gjë dhe prej të cilës kam marrë jashtëzakonisht shumë. Vitet kanë kaluar, ndeshjet janë luajtur, fitoret janë festuar, humbjet janë ngushëlluar… Gjithnjë kam qenë krenar që kam pasur rastin të luaj për Malin e Zi dhe në ndeshje të caktuara të jem kapiten i saj. Do të kujtoj gjatë të gjitha 86 ndeshjet, e sidomos golat që i kam shënuar”, ka shkruar Beqiraj.

SHARE