FILLUAN BISEDIMET PËR FORMIMIN E PUSHTETIT NË PODGORICË

Bartësit e katër listave zgjedhore kanë nisur diskutimet për formimin e qeverisë në kryeqytet. Lideri i lëvizjes “Evropa tani”, Jakov Millatoviq, paraprakisht ka dërguar ftesë për takimin fillestar, ku kanë marrë pjesë: Jelena Boroviniq Bojoviq, bartësja e listës “Për të ardhmen e Podgoricës”, si dhe bartësit e listës: “Shkojmë o njerëz!” Danillo Saranoviq dhe “Podgorica mundet – ky është qyteti ynë!” Luka Rakçeviq. “Të nderuar bartës të listave fituese, duke ju përgëzuar për rezultatet e arritura në zgjedhjet e fundit në kryeqytet, kam kënaqësinë t’ju ftoj në takimin fillestar në lidhje me marrëveshjen për formimin sa më të shpejtë të pushtetit lokal në Podgoricë,” thuhet në ftesë Millatoviq. “Ky është takimi i parë i llojit formal. Nëse dita shihet në mëngjes, çdo gjë duhet të shkojë mirë. Edhe takimi i kaluar ka shkuar në atë drejtim. Mendoj se ka interes dhe vullnet të mirë nga të gjitha anët për ta përfunduar siç duhet këtë proces. Do të ishte mirë sikur qeverisja e re të formohej para Ditës së Çlirimit të Podgoricës. Mendoj se ky afat është real dhe i arritshëm”, tha Millatoviq.

SHARE