Villarreali spanjoll është shndërruar në një sensacion absolut të futbollit evropian pasi eliminoi Bayern Munichun në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe historia e këtij klubi nga një qytet me pak më shumë se 50 mijë banorë është treguesi më i mirë se disa tregime janë të bukura në sport.
Ata thonë se me autostradën gati 1000 kilometra të gjatë që lidh Spanjën veriore dhe jugore me bregdetin e saj lindor, ka vetëm dy arsye për t’u kthyer nga “Autopista del Mediterráneo” në Villarreal.
E para është, thonë spanjollët, nëse keni nevojë për pllaka qeramike, dhe e dyta është sigurisht futbolli.
Stadiumi i tyre, El Madrigal, është vend që duhet të vizitohet, si për faktin se ndodhet në qendër të qytetit, ashtu edhe për faktin se është i mbuluar me pllaka të verdha qeramike.
Kapaciteti i stadiumit është 24,890 ulëse, që përfaqëson pothuajse gjysmën e popullsisë së këtij vendi me një popullsi prej pak më shumë se 50,000 banorë. Por si u fut Villarreal në majat e futbollit evropian atëherë?
Mediat spanjolle raportojnë se në shekullin e XIX-të, njerëzit në këtë zonë rurale siguronin jetesën nga rritja e portokajve, gjë që mundësoi përparimin gradual ekonomik për rajonin, kështu që pas Luftës Civile, pronarët e plantacioneve vendase i kthyen ato para në fabrika qeramike.
Në këtë drejtim, ky vend shumë shpejt u bë një nga vendet më të rëndësishme në Evropë për këtë industri. Në të njëjtën kohë, familja Roig hapi një dyqan mishi dhe një supermarket.
Disa vjet më vonë, tetë dyqane u hapën në rajon, por bumi ndodhi në vitet 1990, dhe sot, sipas statistikave të Forbes, ajo është një kompani me reputacionin më të mirë në botë. Tre vite më parë ishin në vendin e nëntë dhe kishin 75 mijë punëtorë, 1500 dyqane dhe fitimi vjetor i tyre ishte mbi 600 milionë euro.
Fernando Roig, një nga pronarët e këtij zinxhiri dyqanesh dhe pronari i kompanisë së pllakave “Pamesa” 20 vjet më parë vendosi të investonte një pjesë të parave në ekipin vendas të futbollit, i cili në atë kohë luante në kategorinë e dytë dhe kishte mesatarisht mezi 3000 tifozë për ndeshje.
Një vit më vonë, ata luajtën për herë të parë në La Liga, dhe në prill të 2006, njësoj si sot, ishin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe më pas u larguan fatkeqësisht nga Arsenali, i cili më pas humbi nga Barcelona.
Në ndeshjen ndaj Topçinjëve, ata patën një penallti në minutën e fundit, por Roman Riquelme nuk ishte preciz, kështu që skuadra e Arsen Ëengerit kaloi më pas në finale, e cila u luajt në Paris.
Që në fillim të investimit në klub, pronarët kërkuan që ai të bëhej i vetë-qëndrueshëm me kalimin e kohës dhe të funksiononte pa të meta, dhe pasi fillimisht përmirësimin e kushteve në shkollën e të rinjve dhe zgjerimin e rrjetit të skautëve në Amerikën e Jugut, klubi nga periferia u bë i respektueshëm brenda natës në Evropë.
Me kalimin e kohës, ata arritën të ndërtojnë një qendër stërvitore moderne me nëntë fusha dhe të gjithë infrastrukturën përcjellëse dhe më vonë ndërtuan një qendër tjetër stërvitore me 12 fusha të tjera, e cila përdoret edhe nga ekipe të tjera të rajonit.
Kështu, Villarreal, një qytet me gjysmën e kapacitetit të stadiumit Nou Camp të Barcelonës, është kthyer në një seli të vërtetë futbolli.
Sot lojtarët e tyre po shkruajnë një tjetër histori magjike futbolli dhe pasi e eliminuan Bayernin nga Liga e Kampionëve dhe për faktin se e rrëzuan Manchester Unitedin në finale vitin e kaluar dhe fituan Ligën e Evropës, duket qartë se janë tani gati për sukses edhe më të madh.
Luajtja e dy ndeshjeve kundër Bayernit të madh pa humbje dhe vetëm me një gol të pësuar është treguesi më i mirë se skuadra e Unai Emery ka cilësinë dhe njohuritë e nevojshme për t’u përballur me skuadrat më të mira në botë.
Sfida e tyre e radhës me shumë gjasë do të jetë ndaj Liverpoolit. /Telegrafi/