Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, deklaroi në Kuvend se ligji që ndalon magazinimin dhe transbordimin e produkteve të duhanit në Zonën e Lirë të Portit të Tivarit nuk përbën një zgjidhje afatgjatë, por një masë të përkohshme për luftimin e kontrabandës së cigareve.
Ai theksoi se qeveria e ndërmori këtë hap për t’i dhënë fund praktikave që për dekada e kanë lidhur Malin e Zi me trafikun e cigareve.
Sipas tij, në të ardhmen do të shqyrtohen mundësitë për krijimin e një sistemi që do t’u lejojë operatorëve ligjorë të vazhdojnë aktivitetin e tyre pa pengesa të panevojshme.
Deputeti i Aleancës Evropiane, Branisllav Neneziq, kritikoi ligjin, duke argumentuar se ai po shkakton pasoja negative ekonomike për kompanitë që operojnë në zonën e lirë, si Porti i Tivarit dhe “Port of Adria”.
Ai tha se ligji u miratua me procedurë të përshpejtuar, pa debat të mjaftueshëm dhe se nuk po zbatohet plotësisht.
Nga ana tjetër, Gjeloshaj këmbënguli se ndalimi i aktivitetit me cigare ishte i domosdoshëm për të parandaluar abuzimet dhe për të forcuar kontrollin mbi qarkullimin e mallrave.
Ai siguroi se pjesa tjetër e dispozitave të ligjit krijon kushte më të sigurta dhe më transparente për bizneset që operojnë në zonat e lira.
Gjatë seancës parlamentare, ministri Gjeloshaj u përball edhe me kritika nga deputetët e opozitës lidhur me mungesën e investimeve të mëdha të huaja dhe rritjen e kostos së jetesës.
Ai argumentoi se paqëndrueshmëria politike e viteve të fundit ka ndikuar negativisht në klimën investuese, por shprehu bindjen se afrimi i Malit të Zi me Bashkimin Evropian do të sjellë më shumë investime dhe përmirësim të standardit të jetesës.
Sa i përket masës “Çmime të Kufizuara”, Gjeloshaj tha se ajo ishte një zgjidhje e përkohshme për të zbutur pasojat e inflacionit dhe se nuk mund të zgjatet pafundësisht, duke shtuar se qeveria do të vazhdojë të monitorojë çmimet dhe do të ndërhyjë nëse paraqitet nevoja për mbrojtjen e qytetarëve.









