SHAREC: KOMUNAT DUHET TË PËRFSHIHEN MË SHUMË NË HARTIMIN E LIGJEVE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Marjan Sharec, deklaroi pas takimit me kryetarët e komunave malazeze se vetëqeverisjet lokale duhet të kenë rol më të madh në përgatitjen e ligjeve.

Sipas tij, komunat përballen çdo ditë me sfidat që lidhen me zbatimin e ligjeve për shoqëritë tregtare, prokurimet publike, vetëqeverisjen lokale, zgjedhjet, pyjet dhe të mirën detare.

Për këtë arsye, ai kërkoi që Unioni i Komunave të përfshihet më aktivisht në procesin e hartimit të legjislacionit.

Sharec vlerësoi se një qasje e tillë do të ulte tensionet dhe do ta bënte më të lehtë zbatimin e ligjeve në praktikë.

Ai theksoi se komunat janë ato që në fund zbatojnë vendimet në territorin e tyre dhe se, pavarësisht përkatësisë politike, prioritet i drejtuesve lokalë është sigurimi i mjeteve financiare për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Nga ana e tij, kryetari i Bordit Drejtues të Bashkësisë së Komunave, Radosh Zhugiq, e cilësoi takimin si konstruktiv dhe theksoi se komunat dëshirojnë që zëri i tyre të dëgjohet më fuqishëm dhe të jenë të pranishme në tryezën e negociatave për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

SHARE