Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, njoftoi se më 15 qershor, në Konferencën Ndërqeveritare në Luksemburg, pritet të mbyllen përkohësisht edhe dy kapituj negociues me Bashkimin Evropian: Kapitulli 2 – Liria e lëvizjes së punëtorëve dhe Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndeti.
Ajo theksoi se ky është rezultat i punës së institucioneve malazeze dhe bashkëpunimit të ngushtë me shtetet anëtare të BE-së. Sipas saj, Mali i Zi mund të mbyllë edhe 19 kapitujt e mbetur deri në fund të këtij viti.
Gorçeviq tha se mbyllja e Kapitullit 2 do t’u sjellë qytetarëve më shumë të drejta në tregun e punës të BE-së, mbrojtje më të mirë të të drejtave sociale dhe më pak pengesa administrative për punësim në vendet anëtare.
Ndërkohë, mbyllja e Kapitullit 28 do të forcojë mbrojtjen e konsumatorëve, sigurinë e produkteve dhe standardet në shëndetin publik.
Ajo bëri thirrje për bashkëpunim mes të gjitha institucioneve shtetërore për përmbushjen e detyrimeve të mbetura, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, me synimin që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.
Sipas saj, Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare vazhdojnë ta mbështesin fuqishëm këtë proces.









