880 MILIONË EURO PËR KOSOVËN, BE: PËRSHPEJTONI REFORMAT PËR TË PËRFITUAR

Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka bërë thirrje për përshpejtimin e reformave dhe funksionalizimin e institucioneve shtetërore, në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht nga Plani i Rritjes i BE-së.

Palatova ka theksuar se Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion 880 milionë euro për Kosovën gjatë tre viteve të ardhshme, në këmbim të reformave që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhvillimin ekonomik.

„Kosova ka paraqitur një agjendë ambicioze reformash në fushën e zhvillimit të sektorit privat dhe përmirësimit të mjedisit të biznesit. Kjo agjendë përfshin shtatë reforma kryesore dhe 26 hapa konkretë, të orientuar drejt nxitjes së investimeve dhe eksporteve, krijimit të një kornize rregullatore më të thjeshtë dhe më efektive, si dhe promovimit të inovacionit dhe rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse“, ka deklaruar diplomatja.

Sipas saj, Bashkimi Evropian mbetet partneri më i madh i Kosovës, duke investuar deri më tani 3.7 miliardë euro në vend.

„Shpresojmë që institucionet politike të Kosovës së shpejti të bëhen plotësisht funksionale, në mënyrë që Kosova të mund të përfitojë në maksimum nga mbështetja dhe mundësitë që ofron Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian“, ka përfunduar Palatova.

SHARE