OSMANI: BE TREGOI SE DI TË BASHKOHET NË KOHËT HISTORIKE DHE TË MARRË VENDIMET E DUHURA

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot në mëngjes ka marrë pjesë në mëngjes pune të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i cili u organizua në Bruksel nën patronazhin e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, mëngjesi i punës iu kushtua dosjes evropiane të Maqedonisë së Veriut, ndërsa u mbajt në margjinat e Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së. Në takim morën pjesë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe zëvendëspresidenti i KE-së, Josep Borrell, dhe komisioneri i Zgjerimit i BE-së, Oliver Varhelyi. “Ky takim përkon me luftën në Ukrainë dhe ngjarjet e javëve të fundit kanë ndryshuar kontekstin e bisedimeve tona, por edhe prioritetet gjeopolitike dhe strategjike të kontinentit evropian. Dialogu ynë po merr një pikë kthese sa i përket urgjencës së vendimmarrjes që do të përcaktojë të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut në BE, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Osmani. Në këtë kontekst, Osmani ka shtuar se Maqedonia e Veriut, si vend kandidat kredibil, 100 për qind ka harmonizuar sanksionet e BE-së kundër Rusisë, por gjithashtu ka ofruar ndihmë humanitare dhe ka hapur dyert e strehimit për të gjithë ata që ikin nga lufta e tmerrshme në Ukrainë. Theksohet se në mëngjesin e punës, ministrat shprehën mbështetje të fuqishme për lidershipin në Maqedoninë e Veriut, i cili, sipas njoftimit, pa mëdyshje dhe me përkushtim punon në përmbushjen e agjendës së reformave evropiane dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke e njohur kështu vendin si partner kredibil që respekton rregullat, standardet dhe vlerat evropiane. “Unioni ka treguar se di të bashkohet në kohë historike, të marrë vendime të drejta, të ndërtojë konsensus, ndërsa ne kemi treguar se jemi qind për qind prapa këtyre vendimeve”, ka përfunduar Osmani. Sipas njoftimit, diskutimi u dominua nga mendimi se vendimi për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare dhe fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë gjatë presidencës franceze të BE-së do të ishte një gjë e drejtë dhe me shumë efekte pozitive për të gjithë rajonin. “Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer që Osmani të takohet dhe të shkëmbejë mendime me shumicën e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, si dhe pati një takim të veçantë bilateral me komisionerin për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi. Gjatë ditës, ai do të mbajë fjalim në AFET në Parlamentin Evropian, takime me disa eurodeputetë, grupin “Miqtë e Maqedonisë së Veriut” dhe disa zyrtarë të lartë në institucionet e BE-së”, thuhet në njoftim.

SHARE