PLANTANCIONET ANULUAN VENDIMIN E KOMUNËS SË TUZIT PËR TAKSËN E PËRCAKTUAR NË PRONË PËR VITIN 2020

Gjykata Administrative e Malit të Zi, sipas padisë së kompanisë “13. Korriku-Plantancionet”, ka anuluar vendimin e Komunës së Tuzit për taksën e përcaktuar në pronë për vitin 2020, në vlerë të përgjithshme prej 624.378 euro. Siç theksojnë në njoftimin e Plantacioneve, në procedurën administrative prokurori e ka kontestuar ligjshmërinë e vendimit të Komunës së Tuzit për shkak të shkeljes së rregullores së punës, fakteve të vërtetuara gabimisht dhe zbatimit jo të drejtë të së drejtës materiale. “Me këtë aktgjykim, Gjykata Administrative konfirmoi qëndrimet e parashtruara të kompanisë ’13. Korriku-Plantacionet’, se Komuna e Tuzit në rastin konkret, në mënyrë të gabuar e ka vlerësuar vlerën e tregut të tokës bujqësore si bazë për përcaktimin e taksave. Prandaj, shuma e tatimit mbi pasurinë e paluajtshme për vitin 2020 mbi 600 mijë euro është shumë e lartë dhe nuk paraqet vlerën reale të taksës, e cila i ka shkaktuar dëm kompanisë Plantacionet”, theksojnë në deklaratë. Në përputhje me aktgjykimin, Gjykata Administrative urdhëroi Komunën e Tuzit që të nxjerrë një vendim të ri ligjor, i cili do të përcaktojë saktë shumën e tatimit në pronë për vitin 2020. Komuna e Tuzit ka përcaktuar shumën e taksës së pasurisë së paluajtshme për vitin 2019 dhe 2021 në të njëjtën mënyrë të kundërligjshme. Në përputhje me rregulloret ligjore pozitive, Plantacionet, lidhur me këto dy vendime, kanë nisur procedurën e shqyrtimit të ligjshmërisë së vendimit pranë organeve kompetente. Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, reagoi në lidhje me këtë çështje ku theksoi se Plantacionet në ankesë janë ankuar në krejt procedurën, e pika kryesore e ankimimit ishte pretendimi i tyre se komuna e Tuzit nuk ka të drejt ta bëjnë vlerësimin e tokës por duhet pranuar vlerësimi i tyre prej 43 centave për m2. Siç thekson Gjeloshaj, gjyqi në ankesë ka pranuar vetëm pjesën, se mënyra se si është kryer vlerësimi të përmirësohet, dhe shtoi se kanë kërkuar nga administrata tatimore kontrata të shitëblerjës të truallit në Malësi dhe kanë përllogaritur mesataren. “Gjyqi me vendim, kërkon vetëm një gjë, që të bëhet vlerësimi i ri dhe në bazë të saj të sillet vendimi, që është një fitore e madhe e komunës dhe asnjë pjese tjetër të kontestuar përmes ankesës nuk e potencon,“ tha Gjeloshaj. Ai thotë se vlerësimi do të bëhet përsëri dhe se është i sigurt që me parametra të ri që kanë e që nuk i kanë pasur nga administrata tatimore shtetërore, vlerësimi do të bëhet me vlerë edhe më të madhe, e që deri tani ishte 17 euro për m2. Ai në fund potencoi se krejt procedura juridike që ishte njëvjeçare nuk u kontestua, e vlera e re do të dihet shumë shpejt e ky vendim nuk sjell asnjë risi në aspektin financiar për komunën e Tuzit, por përkundrazi, Gjeloshaj mendon se do të kenë vlerë edhe më të madhe qe do të paguaj Plantacioni.

SHARE