PB, LISTA SHQIPTARE DHE KOALICIONI SHQIPTAR MBËSHTESIN PROPOZIMIN PËR FORMIMIN E QEVERISË SË PAKICËS

Partia Boshnjake, Lista Shqiptare dhe Koalicioni Shqiptar “Bashkë nji za” kanë deklaruar se mbështesin propozimin e shpallur nga Koalicioni “E zeza në të bardhë” për të formuar një qeveri të pakicës në Mal të Zi. “Duke pranuar faktin se Mali i Zi është në një krizë të rëndë politike, sociale, ekonomike dhe shëndetësore, si dhe se qeveria aktuale mbështetet nga vetëm një duzinë deputetë në parlament, ne, përfaqësuesit politikë të popujve pakicë në Parlamentin e Malit të Zi, mbështesim propozimin e shpallur të hënën nga koalicioni “E zeza në të bardhë” për formimin e një qeverie të pakicës”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Ata shprehen të bindur se ky është një model real dhe optimal për dalje nga situata aktuale politike. “Modeli i qeverisë së pakicave, në këto rrethana politike, mund t’i sjellë Malit të Zi stabilitetin e nevojshëm dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Dhe kjo është pikërisht ajo që u duhet qytetarëve tanë dhe shtetit për të dalë nga spiralja e ndarjes, varfërisë dhe mungesës së shpresës”, thuhet në deklaratë. Ata besojnë se mbështetja sa më e gjerë për këtë koncept në Parlamentin e Malit të Zi do të ishte e dobishme për shoqërinë tonë, për harmoninë multietnike të Malit të Zi dhe për ruajtjen e vlerave themelore për të cilat ne luftuam. “Na gëzojnë mesazhet që partnerët tanë ndërkombëtarë po shpallin me këtë rast, sepse do të kemi nevojë për mbështetjen dhe ndihmën e tyre në periudhën në vijim, në mënyrë që të realizojmë lehtësisht reformat dhe progresin drejt anëtarësimit në BE. Rruga jonë evropiane dhe euroatlantike nuk ka asnjë alternativë dhe mbështetja e partnerëve tanë është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Partia Boshnjake, Lista Shqiptare dhe Koalicioni Shqiptar mbështesin nismën për një qeveri të pakicës”, thuhet në deklaratë. Ata janë të sigurt se qeveria e re do të ketë sukses në sigurimin e mbështetjes dhe arritjen e një konsensusi për të dalë nga gjendja UD në të cilën gjenden institucionet tona të shumta. Siç thanë ata, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare dhe Koalicioni Shqiptar janë angazhuar për demokratizimin e shoqërisë, një gjyqësor të pavarur, një marrëveshje për legjislacionin e ri zgjedhor, forcimin e zhvillimit ekonomik të vendit dhe ngritjen e standardit të jetesës së qytetarëve. “Ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në këto parime, në mënyrë që të arrijmë progresin e përgjithshëm të shoqërisë sonë”, përfundon deklarata.

SHARE