Besimtarët e fesë islame sot dhe për katër ditë me radhe festojnë Kurban Bajramin.
Përveç urimeve për harmoni, solidaritet, begati për të gjithë dhe të na shërbejë si moment i vetëdijesimit tonë, që ta respektojmë njëri-tjetrin, dinjitetin dhe vlerat njerëzore kësaj radhe urohet edhe për shtimin e kujdesit dhe masave mbrojtëse kundër korona virusit.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” uroi festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve mysliman çdo të mirë paqe dhe harmoni në jetët e tyre.
Ai thekson se sakrifica që përmban në vete kjo festë është një mesazh dhe mësim shumë i rëndësishëm për njeriun, ku duhet sakrifikuar dëshirat dhe tekat e veta për të mirën e përgjithshme dhe për hirë të njerëzimit.
“Le të jetë pra kjo festë, festë solidarizimi dhe bashkëveprimi mes besimtarëve pa marrë parasysh përkatësitë fetare dhe kombëtare,” thuhet në njoftimin e Gjeloshaj.
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe deputeti i koalicionit “Shqiptarët të vendosur” Genci Nimanbegu, theksoi se flijimi në këto ditë të sfidave të mëdha dhe shpresës për të mirën, për mirëqenien e të gjithëve, si simbolikë e Festës së madhërishme e Kurban Bajramit le të jetë udhë rrëfim për të gjithë ne, për veprat e mira në dobi të njeriut dhe për hirin e Zotit.
Gjithashtu urimeve i’u bashkangjit edhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Mehmed Zenka ku në urimin e tij thekson se kjo festë, më e rëndësishme islamike, simbolizon flijimin dhe sakrificës, dhe na rikujton se, me besnikëri dhe dashuri ndaj tjetrit, duhet të ndërtojmë marrëdhëniet mbi bazat e tolerancës dhe respektit të ndërsjellët.