MBAHET SAMITI I KRYETARËVE TË BASHKIVE TË RRJETIT TË QYTETEVE BALLKANIKE

Në Shqipëri po mbahet takimi i kryetarëve të bashkive nga vendet e Ballkanit (B40 Tirana Summit), pjesë e Rrjetit të Qyteteve Ballkanike B40, me temë “Ndërtimi i qëndrueshmërisë urbane dhe reagimi ndaj krizave”.

Në mesin e tyre ishte edhe delegacioni i Komunës së Tuzit i udhëhequr nga kryetari i Komunës, Lindon Gjelaj me bashkëpunëtorët e tij.

Në fjalën e tij në hapje të samitit, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj u shpreh se nisma B40 është një angazhim serioz për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe theksoi se qeverisja lokale luan një rol të rëndësishëm.

“Ajo( B40) përbën një vlerë të shtuar në marrëdhëniet tona sepse krijon mundësi për bashkëpunim në nivel lokal. Rrjeti (Rrjeti i Qyteteve Ballkanike) i ka të gjitha mundësitë të jetë shembull suksesi për një të ardhme të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, tha Begaj.

Begaj shtoi se rajoni i Ballkanit është i pasur me histori dhe diversitet kulturor.

“Në Ballkan gjen shkrirjen e shumë kulturave, ideve dhe inovacionit”, tha Begaj.

Kryebashkiaku Veliaj në fjalën e tij u shpreh se duan ta kthejnë platformën e Tiranës të B40 si një platformë mësimdhënëse dhe mësimnxënëse.

“Në presidencën e Tiranës ne duam që të propozojmë një fond solidariteti për të gjitha bashkitë e rajonit tonë. Ne duam të fokusohemi shumë tek demokracia lokale dhe emigracioni”, theksoi Veliaj.

B-40 është Rrjeti i Qyteteve të Ballkanit dhe samiti do të zgjasë tri ditë.

Shtyllat kryesore të Rrjetit janë: bashkëpunimi ndaj krizave dhe ndryshimeve klimatike, zhvillimi ekonomik dhe kulturor dhe digjitalizimi i shërbimeve.

Me sot, Tirana do të marrë udhëheqjen e Rrjetit, që do të thotë se do të jetë përgjegjëse për organizimin e aktiviteteve ndërmjet qyteteve të Ballkanit, por edhe nismëtare e projekteve të përbashkëta.  

Mbas Stambollit e Athinës, Tirana është e treta që merr presidencën e B-40. Në samit ishin prezentë edhe kryetarët e komunave të Shkupit, Sarajevës, Prishtinës, Stambollit, Parisit etj.

SHARE