IZRAELI HEQ REGJIMIN E VIZAVE PËR SHTETASIT E KOSOVËS

Izraeli ka hequr regjimin e vizave për shtetasit e Kosovës të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë shtet.

Siç njofton Zyra e Presidentes së Kosovës, në një takim të presidentes Vjosa Osmani me ambasadoren izraelite në Kosovë, Tamar Ziv, ambasadorja ka konfirmuar se Qeveria e Izraelit ka shprehur pajtueshmëri për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për kosovarët, pas kërkesës së presidentes Osmani drejtuar institucioneve të Izraelit.

“Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani e falënderoi ambasadoren Ziv për këtë vendimv dhe e quajti si zhvillim pozitiv që do t’i hapë rrugë bashkëpunimit më të thelluar në mes të dy vendeve.

Në këtë takim po ashtu u diskutua edhe për “bashkëpunimin në mes të dy vendeve, zhvillimet e fundit për situatën e sigurisë në Izrael, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon”.

SHARE