KËSHILLI I BE-së ZGJATI SANKSIONET EKONOMIKE KUNDËR RUSISË

Këshilli i Bashkimit Evropian zgjati sot edhe për gjashtë muaj të tjerë vlefshmërinë e sanksioneve ekonomike që vendosi ndaj Rusisë për shkak të sulmit ndaj Ukrainës.

“Për sa kohë që veprimet e paligjshme të Rusisë shkelin ndalimin e përdorimit të forcës, që është një shkelje serioze e detyrimeve sipas ligjit ndërkombëtar, është e përshtatshme të mbahen në fuqi të gjitha masat e vendosura nga BE-ja dhe të merren masa shtesë, nëse është e nevojshme”, tha Këshilli i BE-së në faqen e tij të internetit.

Këto sanksione, të prezantuara për herë të parë në vitin 2014 si përgjigje ndaj veprimeve ruse që destabilizojnë Ukrainën, janë zgjeruar ndjeshëm që nga shkurti i vitit 2022 në përgjigje të agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

“Sanksionet përfshijnë kufizime mbi tregtinë, financat, teknologjinë dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, industrinë, transportin dhe mallrat luksoze. Ato gjithashtu ndalojnë importin ose transferimin e naftës së papërpunuar dhe produkteve të caktuara të naftës nga Rusia në BE,” thuhet në deklaratë.

Disa banka ruse janë përjashtuar nga sistemi bankar ndërkombëtar SWIFT dhe disa media të mbështetura nga Moska janë pezulluar.

Masa të veçanta janë futur gjithashtu për të forcuar aftësinë e BE-së për të kundërshtuar evazionin e sanksioneve.

SHARE