Cigaret elektronike mund të jenë po aq të rrezikshme sa duhani

Sipas një studimi të ri thuhet se përdorimi i cigareve elektronike mund ta dëmtojë shëndetin njëlloj sikurse duhani.

Një eksperiment i realizuar në minj ka treguar se ekspozimi ndaj avullit të cigareve elektronike çon në aritmi të zemrës – çrregullim në ritmin e zemrës, që mund të jetë shumë i ngadaltë, shumë i shpejtë ose i parregullt.

Një rrahje e parregullt e zemrës mund të çojë në komplikime për jetën, duke përfshirë goditje në tru, mpiksje gjaku dhe madje edhe arrest kardiak në raste të rënda.

“Gjetjet tona tregojnë se ekspozimi afatshkurtër ndaj cigareve elektronike mund ta destabilizojë ritmin e zemrës përmes substancave kimike specifike brenda lëngjeve elektronike”, ka thënë udhëheqësi i studimit, Dr Alex Carll, një asistent profesor në Universitetin e Louisville.

Këto të dhëna vijnë në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e madhe po përballen më të ashtuquajturën ‘epidemi’ nga përdorimi i madh i cigareve me avull nga adoleshentët – transmeton Daily Mail.

Hulumtimet e mëparshme kanë zbuluar se njerëzit që pinë rregullisht janë në rrezik të zhvillimit të pengesave të rrugëve të frymëmarrjes të ngjashme me ato që vuajnë nga njerëzit me astmë.

Sipas një studimi të publikuar nga Universiteti i Harvardit përdoruesit e rinj po përjetonin simptoma të frymëmarrjes të ngjashme me ata që vuajnë nga sëmundje të mushkërive.

Pajisjet me aromë – të cilat janë më të njohura në mesin e të rinjve dhe fëmijëve – në SHBA tashmë kërkojnë miratim specifik nga agjencia FDA për të qëndruar në raftet e shitjes.

Nga të dhënat e studimit të publikuar në Nature Communications, Dr Carll pohon se “këto gjetje sugjerojnë se përdorimi i cigareve elektronike që përfshin disa shije ose mjete tretëse, mund ta prishë përcjelljen elektrike të zemrës dhe të provokojë aritmi”, si dhe “këto efekte mund të rrisin rrezikun për fibrilacion atrial ose ventrikular dhe arrest të papritur kardiak”

Derisa disa besojnë se cigaret elektronike janë relativisht të padëmshme në krahasim me cigaret standarde, studiuesit kanë paralajmëruar prej kohësh se ato mbartin rreziqe të tyre.

Hulumtimet e mëparshme kanë zbuluar se njerëzit që pinë rregullisht cigare me avull janë në rrezik të zhvillimit të problemeve të rrugëve të frymëmarrjes të ngjashme me ato që i kanë njerëzit me astmë dhe COPD (sëmundja kronike obstruktive të mushkërive). /Telegrafi/

SHARE