Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.
Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, ai përsëriti disa herë se tash e tutje vendeve kandidate duhet referuar si “vende të ardhshme anëtare të BE-së”.
Michel tha se BE-ja duhet të përballet me dilemën se a do të jetë vetëm një union që merret me menaxhimin e krizave apo një aktore që vendos për të ardhmen.
Ai pranoi se rruga e gjatë e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, që ka nisur para më shumë se 20 vjetësh, ka shkaktuar zhgënjim te shumë njerëz, si në rajon, ashtu edhe në bllokun evropian.
“Pajtohem me kancelarin [e Gjermanisë, Olaf] Scholz kur thotë se BE-ja duhet të mbajë premtimet e veta”, shtoi Michel.
Kësaj radhe, presidenti i Këshillit Evropian bëri thirrje edhe për caktimin e një agjende të qartë e me afate kohore.
Michel paralajmëroi se në samitin e ardhshëm të BE-së liderët do të diskutojnë edhe për procesin e zgjerimit. Por, nga temat në kuadër të zgjerimit, ai përmendi vetëm mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe kthimin e Bosnje e Hercegovinës në agjendë.
Michel u bëri thirrje shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që të zgjidhin konfliktet e tyre dypalëshe.
“Zgjidhja e konflikteve dypalëshe nga e kaluara mund të jetë më e dhimbshme sesa reformat. Por, është e domosdoshme. Ju në këtë rrugë do të ndiqni rrugën e njëjtë sikurse edhe vendet themeluese të BE-së. Nuk ka bashkëpunim pa pajtim. Dhe, të jemi shumë të qartë, nuk ka vend në BE për konfliktet e së kaluarës”, theksoi ai.
Presidenti i Këshillit Evropian, duke përsëritur se duhet evituar që konfliktet mes vendeve të ndryshme të bartën në BE, e të cilat më pas mund të përdoren në të ardhmen për të bllokuar proceset e shteteve fqinje, kërkoi që edhe në traktatet e anëtarësimit të përfshihet “klauzola e besimit”.
Kjo, sipas tij, do të siguronte që vendet të cilat hyjnë në BE që të mos kenë mundësi të bllokojnë vendet e ardhshme anëtare.