CAMAJ: ME ZGJEDHJEN E KRYEMINISTRIT TË PARË SHQIPTAR, SHQIPTARËT E RMV-së, SOT PO BËJNË HISTORI

Deputeti i Forumit Shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, Nikollë Camaj, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, bëri të ditur se me zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, sot po bëjne histori në rrugën e avancimit të të drejtave të tyre natyrore.

“Sot, në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, zhvillohet seancë historike për shqiptarët. Historike, sepse në postin e kryeministrit do të zgjedhet një shqiptar, z. Talat Xhaferi, meritë kjo e angazhimit të lidershipit politik shqiptar, për faktorizimin e shqiptarëve në këtë shtet dhe në rajon,” ka shkruar Camaj.

Me këtë rast, deputeti Camaj vlerësoj dhe me konsideratë të lartë i shprehi mirënjohjen më të thellë faktorit politik dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe liderit Ali Ahmeti, për vizionin largpamës në avansimin e të drejtave të shqiptarëve, për bashkëpunimin e suksesshëm dhe rolin dinjitoz në faktorizimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Me zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, sot po bëjne histori në rrugën e avancimit të të drejtave të tyre natyrore. Kjo është një ditë e madhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe trojet etnike. Por, zgjedhja e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk është arritje vetëm e shqiptarëve, por edhe e Maqedonisë së Veriut si shtet, prandaj uroj të jetë shembull pozitiv për gjithë vendet e Ballkanit,” ka theksuar Camaj.

Në fund, Camaj e ka uruar përzemërsisht Talat Xhaferin në detyrën e kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke i uruar shëndet dhe suksese në postin e merituar.

SHARE