Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit i angazhuar për politikën ndaj Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me procesin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka deklaruar se ndihet “shumë i ngazëllyer” që procesi ka filluar dhe ka shprehur shpresë që procesi të vazhdojë.
Pas takimit me kryeministrin e vendit, Dimitar Kovaçevski, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit tha se Maqedonia e Veriut llogaritet si mik dhe aleat i sinqertë i SHBA-së pasi gjatë disa viteve të fundit vendi ka ndihmuar SHBA-në në Afganistan dhe Ukrainë.
Escobar po ashtu vlerësoi Maqedoninë e Veriut se ka ndihmuar SHBA-në në arritjen e “marrëveshjes historike” midis Kosovës dhe Serbisë në qytetin e Ohrit, nga e cila, sipas zyrtarit amerikan, do të përfitojë i gjithë rajoni. Ai theksoi se kjo marrëveshje “nuk do të ishte bërë pa ju”.
Lidhur me fillimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, Escobar u përgjigj se ndihet “shumë i ngazëllyer” që procesi ka filluar.
“Sepse ne jemi shumë të ngazëllyer t’ju shohim në BE. Ju jeni anëtarë të komunitetit euro-atlantik. Ne do të donim t’ju shohim si mikun tonë të ngushtë në të gjitha ato struktura. Pra, jam i lumtur që procesi ka filluar dhe shpresoj që do të vazhdojë”, tha Escobar.
Kryeministri Kovaçevski, nga ana e tij, tha se korniza negociuese, që është bazë e negociatave të vendit të tij me BE-në, është një dokument i miratuar nga të gjithë 29 vendet anëtare të bllokut evropian, i mbështetur edhe nga partnerët strategjikë të vendit.
Takimi i parë i zyrtarit të lartë amerikan u zhvillua dje me presidentin Stevo Pendarovski, ku sipas kabinetit presidencial, u konfirmua mbështetja e SHBA-së për aspiratat evropiane të vendit dhe u bisedua për hapat e ardhshme që duhet t’i ndërmarrë vendi për të avancuar në procesin integrues të BE-së.