RUSIA KUNDËRSHTON REZOLUTËN E OKB, KËRKOHEJ MBROJTJA E CIVILËVE: VENDIM POLITIK

Nëse kolegët tanë do të interesoheshin vërtet për cështjet humanitare, atëherë do të kishin mbështetur draft-rezolutën e vërtetë humanitare të Rusisë, që u votua në Këshillin e Sigurimit. Fatkeqësisht, konsideratat politike ishin ato që fituan në fund epërsinë: ambasadori rus Vasily Nebenzia reagoi me këtë koment në Tëitter pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i dha dritën jeshile një rezolute, e cila kërkonte mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile në Ukrainë, si dhe ndaljen e menjëhershme të luftës. Rezoluta, e miratuar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, siguroi 140 vota pro nga 193 në total. Katër shtete – Siria, Bjellorusia, Koreja Veriore dhe Eritrea – iu bashkuan Moskën me votën e tyre kundër ndërsa 38 shtete abstenuan. Rezoluta “kërkon ndalje të menjëhershme të armiqësive nga Federata Ruse kundër Ukrainës, në veçanti për sulmet kundër civilëve apo objekteve civile”. Në të kërkohet edhe mbrojtja e civilëve, stafit mjekësor, punëtorëve për ndihma dhe gazetarëve. Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese, por kanë peshë politike. Një rezolutë e ngjashme jodetyruese, e iniciuar nga Shqipëria e SHBA, u aprovua edhe në 2 mars me 141 vota, në të cilën i kërkohej Rusisë që të ndalë përdorimin e forcës. Ukraina dhe vendet aleate e kanë akuzuar Moskën se është duke shënjestruar civilët pa dallim dhe është duke shënjestruar objektet ku po strehohen njerëzit, por ajo e mohon një gjë të tillë.

SHARE