GJELOSHAJ: KEMI HAPUR DERËN DREJT ANËTARËSIMIT NË BASHKIMIN EVROPIAN

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka përshëndetur mbylljen e përkohshme të Kapitullit 8 (Konkurrenca) në Konferencën Ndërqeveritare të mbajtur sot në Bruksel, duke e cilësuar atë si një tjetër hap të rëndësishëm të Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.  

Gjeloshaj theksoi se Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë dhe të matshëm në mbylljen e shtatë kapitujve negociues, duke dëshmuar nivel të lartë profesionalizmi, përgjegjësie dhe përkushtimi ndaj agjendës evropiane.

“Rezultati i sotëm nuk është rastësi, por dëshmi e punës së palodhur të institucioneve dhe njerëzve që për muaj me radhë kanë përmbushur standardet evropiane. Kemi hapur derën drejt anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe tani na takon të vazhdojmë në këtë rrugë me vendosmëri dhe pa vonesa”, deklaroi Gjeloshaj.

Ai vlerësoi veçanërisht ekipin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, i cili, sipas tij, dëshmoi se profesionalizmi, përgjegjësia dhe efikasiteti sjellin rezultate konkrete në proceset më të rëndësishme shtetërore.

“Jam krenar për ekipin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, i cili realizoi çdo obligim nga fillimi deri në fund, me cilësi dhe brenda afateve të përcaktuara. Këto suksese u përkasin njerëzve që me dijen dhe punën e tyre kanë bërë që Mali i Zi të jetë një hap më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Gjeloshaj.

Në njoftimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thuhet se politika e konkurrencës përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë moderne të tregut, pasi garanton kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në treg, nxit inovacionin, tërheq investime dhe forcon konkurrueshmërinë e ekonomisë.

“Njëkohësisht, ajo kontribuon në rritjen e zgjedhjes, përmirësimin e cilësisë dhe uljen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve për qytetarët, duke krijuar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe dinamik, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftim.

SHARE