KOMUNA E TUZIT: PROCEDURA PARA KOMISIONIT TË ARBITRAZHIT KA PËRFUNDUAR, MBETEN NË FUQI KUFIJTË AKTUALË

Foto: Komuna e Tuzit

Komuna e Tuzit njoftoi se procedura para Komisionit të Arbitrazhit ka përfunduar dhe se mbeten në fuqi kufijtë ligjorë aktualë të kësaj komune.

Në njoftim thuhet se të gjitha propozimet për ndryshime territoriale të Komunës së Tuzit, të paraqitura gjatë procedurës nga të dyja palët, janë refuzuar, gjë që është konstatuar edhe në procesverbalin e Komisionit.

“Me këtë, mbeten në fuqi kufijtë aktualë ligjorë të Komunës së Tuzit. Gjithashtu, mund të konstatohet se propozimi i Komunës së Tuzit për ndarjen e pasurisë është i vetmi propozim që gjatë procedurës së arbitrazhit nuk është refuzuar dhe, për rrjedhojë, përbën modelin e vetëm të pranuar për ndarjen e pasurisë në këtë proces”, thuhet në njoftimin e Komunës së Tuzit.  

Komuna e Tuzit thekson se e konsideron këtë proces të përfunduar dhe se nuk do të marrë pjesë në përpjekje për ndryshimin e mëvonshëm të rezultatit përmes propozimeve, marrëveshjeve apo aranzhimeve të reja që nuk kanë qenë pjesë e procedurës së arbitrazhit.

“Kufijtë e Komunës së Tuzit mbeten të përcaktuar me ligjin në fuqi, ndërsa të drejtat dhe interesat e Komunës së Tuzit do të mbrohen me të gjitha mjetet demokratike, institucionale dhe juridike”, shtohet në njoftim.

Anëtarët e Komisionit të Arbitrazhit nga ana e Komunës së Tuzit ishin Nik Gjeloshaj, Emin Haxhi dhe Nermin Alibashiq.

Sipas Ligjit për organizimin territorial, kufijtë e njësive të vetëqeverisjes lokale përcaktohen sipas kufijve të vendbanimeve, ndërsa në rast mosmarrëveshjesh, zgjidhja mund të arrihet përmes marrëveshjes ose arbitrazhit. Ndarja e pasurisë bëhet me marrëveshje, ndërsa në rast mospajtimi palët mund t’ia besojnë çështjen arbitrazhit, vendimet e të cilit kanë fuqinë e një marrëveshjeje gjyqësore.

Meqenëse deri më tani nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare për përcaktimin e kufijve dhe ndarjen e pasurisë, Kryeqyteti Podgoricë dhe Komuna e Tuzit kishin rënë dakord që këto çështje t’i zgjidhnin përmes arbitrazhit, në përputhje me Ligjin për organizimin territorial të Malit të Zi.

SHARE