MILLATOVIQ: PJESËMARRJA NË PARADËN E PARISIT KONFIRMON SE MALI I ZI I PËRKET FAMILJES EVROPIANE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, mori pjesë në paradën ushtarake të organizuar në Paris me rastin e 14 Korrikut, Ditës Kombëtare të Francës, me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.

Në këtë ceremoni, e cila këtë vit u mbajt nën moton “Zgjimi strategjik i Evropës”, për herë të parë pjesëtarët e Ushtrisë së Malit të Zi parakaluan në Champs-Élysées duke mbajtur flamurin malazez.

Millatoviq e cilësoi pjesëmarrjen e Malit të Zi në këtë ngjarje si një nder të madh dhe një tjetër dëshmi se vendi i përket familjes evropiane.

Ai bëri të ditur se gjatë qëndrimit në Paris zhvilloi bisedime me një numër liderësh evropianë, të cilët, sipas tij, i përcollën mesazhin se Mali i Zi është vendi i radhës që pritet t’i bashkohet Bashkimit Evropian.

Presidenti theksoi se tani mbetet përgjegjësi e institucioneve malazeze që deri në fund të këtij viti të mbyllin të gjitha kapitujt negociues me BE-në.

Ai shprehu optimizmin se deri në vitin 2028 Mali i Zi do të arrijë objektivin strategjik për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian.

Millatoviq veçoi si moment të veçantë pjesëmarrjen e ushtarëve malazezë në paradë përkrah forcave të vendeve aleate evropiane, duke vlerësuar se ky është një nder për ushtrinë, një njohje për shtetin dhe një burim krenarie për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.

Sipas tij, prania e Malit të Zi në një nga ceremonitë më të rëndësishme shtetërore në Evropë forcon më tej besueshmërinë ndërkombëtare të vendit dhe rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

SHARE