MALI I ZI MBYLL DY KAPITUJ TË NEGOCIATAVE ME BE-në

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Mali i Zi, në Konferencën Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel, mbylli kapitujt negociues 8 (Konkurrenca) dhe 29 (Unioni Doganor), duke e çuar në 18 numrin e kapitujve të mbyllur përkohësisht, nga gjithsej 33.

Edhe pse për mbyllje ishte gati edhe Kapitulli 14 (Politika e Transportit), ai nuk mori mbështetjen e Kroacisë për shkak të çështjes së hapur të kabotazhit, përkatësisht të drejtës së transportuesve të një shteti për të kryer transport brenda territorit të një shteti tjetër.

Kryeministri i Malit të Zi, Mlilojko Spajiq, vlerësoi se vendi nuk mund të kishte marrë një lajm më të mirë pas shënimit të Ditës së Shtetësisë, duke theksuar se rezultati i sotëm është një konfirmim i rëndësishëm i rrugës evropiane të vendit.

“Sot festojmë një të martë të shkëlqyer. Kemi mbyllur më shumë se gjysmën e kapitujve të negociatave”, tha Spajiq në konferencën për media në Bruksel.

Ai deklaroi se mbyllja e kapitujve të rinj negociues me Bashkimin Evropian merr një peshë të veçantë për shkak të mbështetjes pothuajse unanime të Kuvendit për nisjen e ndryshimeve kushtetuese.

Sipas tij, ky konsensus dëshmon pjekurinë politike, unitetin dhe vendosmërinë për të realizuar synimin historik të Malit të Zi – anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Spajiq theksoi se mbyllja e kapitujve që lidhen me konkurrencën dhe bashkimin doganor konfirmon se Mali i Zi po ndërton institucione të afta për të mbrojtur tregun dhe për të zbatuar standardet evropiane.

Ai shtoi se përparimi në këto fusha do të sjellë një ekonomi më të fortë, një treg më konkurrues, klimë më të mirë për biznesin dhe administratë më efikase.

Kryeministri falënderoi ekipet e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Drejtorisë së Doganave dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Konkurrencës për punën e bërë, si dhe Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare për mbështetjen e vazhdueshme.

Ai rikujtoi se kjo është konferenca e katërt ndërqeveritare që nga fillimi i vitit në të cilën Mali i Zi mbyll kapituj negociues.

Spajiq bëri të ditur se janë realizuar mbi 80 për qind e detyrimeve nga Plani i Rritjes, ndërsa në vjeshtë pritet mbështetje prej afro 100 milionë eurosh për zhvillim.

Ai shtoi se vendi ka propozuar edhe rrjetin ekologjik NATURA 2000, me synimin që Mali i Zi të renditet ndër shtetet evropiane me përqindjen më të lartë të zonave të mbrojtura.

SHARE