SENATI AMERIKAN MIRATON PROJEKTLIGJIN PËR KONTROLLIN E ARMËVE

Senati amerikan miratoi një projekt-ligj për kontrollin e armëve, një ndër legjislacionet më të rëndësishme mbi armët e zjarrit në gati 30 vjet. Pesëmbëdhjetë republikanë iu bashkuan demokratëve në dhomën e sipërme të Kongresit për të miratuar masën me 65 vota pro dhe 33 kundër. Votimi pason ngjarjet tragjike të muajit të kaluar ku u regjistruan të shtëna masive në një supermarket në Buffalo, Nju Jork dhe një shkollë fillore në Uvalde, Teksas, që la 31 persona të vdekur. Projektligji tani do të duhet të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve përpara se Presidenti Biden ta nënshkruajë atë. Kjo pritet të ndodhë brenda ditëve të ardhshme. Edhe pse mjaft domethënëse, propozimet janë shumë larg asaj që kanë kërkuar shumë demokratë dhe aktivistë që kundërshtojnë shitjen e armëve në SHBA. “Ky ligj do të ndihmojë në mbrojtjen e amerikanëve,” tha presidenti Joe Biden në një deklaratë menjëherë pas votimit në Senat. “Fëmijët në shkolla dhe komunitete do të jenë më të sigurt falë këtij ligji.” ‘Projekt-ligji Bipartizan për Komunitetet e Sigurta’, i cili u mbështet nga të 50 senatorët demokratë dhe 15 republikanë, përfshin kontrolle të zgjeruara për blerësit nën moshën 21 vjeç, 11 miliardë dollarë financime për shëndetin mendor dhe 2 miliardë dollarë për programet e sigurisë në shkolla. Ai gjithashtu siguron fonde për të nxitur shtetet që të implementojnë ligjet për të hequr armët e zjarrit nga njerëzit që konsiderohen si kërcënim.

SHARE