KOSOVA NJË HAP MË PRANË ANËTARËSIMIT NË KËSHILLIN E EVROPËS

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar të hënën se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Sipas Gërvallës, Komiteti që përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, shkroi Gërvalla në Facebook, duke shtuar se “mbetet edhe shumë punë për t’u bërë”.

Pas këtij vendimi ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila falënderoi aleatët që votuan në favor të Kosovës.

“Flamuri i Republikës së Kosovës së shpejti do të valojë me krenari në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës”, shkroi ajo në Twitter.

Kryeministri Albin Kurti, e komentoi këtë votim po ashtu duke thënë se Kosova “do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës”.

SHARE