Mali i Zi është i gatshëm për vendin e tij në Bashkimin Evropian dhe pret që përparimi i arritur në negociatat e anëtarësimit të vlerësohet me mbështetje konkrete, deklaroi ministri i Jashtëm, Ervin Ibrahimoviq, gjatë takimit ministror të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të mbajtur në Athinë.
Ai theksoi se anëtarësimi në BE mbetet prioritet strategjik i vendit dhe se synimi është që Mali i Zi të bëhet anëtar deri në vitin 2028. Në takim u diskutua për përshpejtimin e integrimit evropian të rajonit dhe ruajtjen e politikës së zgjerimit në agjendën evropiane.
Ibrahimoviq u takua edhe me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Jorgos Gerapetritis, të cilit i shprehu mirënjohje për mbështetjen ndaj rrugës evropiane të Malit të Zi.
Ai theksoi rëndësinë e presidencës greke të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027, si dhe mbështetjen e Greqisë dhe vendeve të tjera për nënshkrimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në gjysmën e parë të vitit 2027.










