E ardhmja e trupave amerikane në Kosovë mbetet e paqartë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë.
Sipas një burimi të Radios Evropa e Lirë, ekziston një plan për reduktimin e ndjeshëm të kontingjentit amerikan në Kosovë, nga rreth 650 ushtarë aktualisht në vetëm 50 deri në shkurt të vitit 2028.
Megjithatë, ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht. NATO-ja ka paralajmëruar se do ta përshtatë gradualisht praninë e saj në Kosovë, me synimin që numri i trupave të kthehet në nivelet para vitit 2023.
Aktualisht, KFOR-i ka rreth 4.600 ushtarë nga vendet anëtare dhe partnere.
Ministria gjermane e Mbrojtjes ka konfirmuar se është në koordinim të vazhdueshëm me Uashingtonin dhe aleatët e NATO-s për të ardhmen e misionit, duke theksuar se forcat amerikane kanë rol të rëndësishëm në KFOR.
Megjithatë, nuk ka dhënë detaje nëse është diskutuar reduktimi i tyre.
Ndërkohë, Gjermania nuk ka konfirmuar nëse do ta shtojë praninë e saj ushtarake në Kosovë në rast të tërheqjes së një pjese të trupave amerikane.
Parlamenti gjerman ka miratuar vazhdimin e mandatit të forcave të saj në KFOR edhe për një vit, duke lejuar dislokimin e deri në 400 ushtarëve.
NATO-ja ka bërë të ditur se çdo ndryshim do të varet nga vlerësimet e sigurisë dhe mund të pezullohet ose të kthehet nëse situata në terren e kërkon.
Aleanca ka garantuar se mandati i KFOR-it dhe angazhimi për sigurinë e Kosovës mbeten të pandryshuara.









