PRESIDENTI I RI ZGJIDHET BRENDA 24 MAJIT

Brenda 24 Majit parlamenti do të duhet të zgjedhë pasardhësin e Ilir Metës. Kreu i grupit parlamentar socialist pohon se ka një komunikim me homologun e tij demokrat, që është dhe kryetari në detyrë i PD, për përbërjen e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, por nuk jep një përgjigje nëse do të nisë një komunikim mes palëve për kandidaturat për kreun e ri të shtetit. Nga ana e tyre vetë socialistët duken të fokusuar te situata ekonomike, për të cilën kryeministri ka patur dhe një mëngjes pune në vilen qeveritare 30, me disa ministra dhe drejtues të forumeve të partisë. Ndërkohë në mbledhjen e Grupit Parlamentar është vendosur që deputetët bashkë me ministrat të jenë në terren për të parë nëse po zbatohet akti normativ për çmimet e standardizuara të disa produkteve ushqimore dhe karburantit. Në një takim tjetër të zhvilluar në Kryeministri me Sekretarin e Përgjithshëm Gjiknuri dhe Ballën është vendosur që data e Kongresit të socialistëve të jetë 9 Prilli.

SHARE