KOSOVË, SHTYHET PËR HERË TË DYTË REGJISTRIMI I POPULLSISË

Qeveria e Kosovës ka shtyrë sërish regjistrimin e popullsisë i paraparë të mbahej fillimisht në shtator, e më pas në nëntor të vitit 2023.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kabineti qeveritar vendosi që ky proces të mbahet nga 5 prilli deri më 17 maj 2024.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha para kabinetit qeveritar se pas ndryshimit të menaxhmentit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), ka marrë një letër nga ushtruesi i detyrës së shefit të ri që dëshmon se “procesi nuk ka shkuar mirë”.

Kurti duke folur për parapërgatitjet rreth këtij procesi, tha se gabimet e të kaluarës më nuk do të përsëriten.

“Gjatë javës së kaluar kam përdorur autorizimin për të ndryshuar menaxhmentin e ASK-së, si një hap para për të ngritur efikasitetin e procesit. Letra që e kam pranuar nga ushtruesi i ri i detyrës së Drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, dëshmon që procesi i regjistrimit nuk është menaxhuar mirë, por është shtuar premtimi që gabimet nga e kaluara nuk do të përsëriten”, theksoi Kurti.

Duke propozuar datën e re për fillimin e këtij procesi, Kurti tha: “Në veçanti për shkak të udhëheqjes së re në ASK-së, propozoj që regjistrimi i popullsisë të shtyhet në periudhën prej 5 prill – deri më 17 maj të vitit 2024 për të zbatuar parimet e EUROSTAT dhe për t’i dhënë rast menaxhmentit të ri të tregojë efikasitet në kryerjen e përgjegjësive”.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive shtëpiake në Kosovë pritet të angazhohen rreth 2.500 deri 7.600 regjistrues, rreth 350 deri 400 mbikëqyrës si dhe rreth 40 deri 50 trajnues-instruktorë me një kosto të përgjithshme të të gjithë procesit deri në rreth 12 milionë euro.

SHARE