GJYKATA EVROPIANE: LIGJI RUS PËR “AGJENTËT E HUAJ” SHKEL TË DREJTAT E NJERIUT

Në një vendim historik, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut tha se ligji i Rusisë për “agjentët e huaj” shkel Konventën evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke shuar se ligji është “arbitrar” dhe “përdoret gjerësisht dhe në mënyrë të paparashikueshme”.

Rasti u dërgua në gjykatë nga 107 paditës, përfshirë organizata të mëdha mediale, sikurse Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë (Radio Svoboda), dhe organizata për të drejtat e njeriut, si Memorial.

Në vendimin e gjykatës më 22 tetor u tha se ligji për “agjentët e huaj” vendos “kufizime të ashpra” ndaj aktiviteteve të paditësve dhe gjeti se cilësimi i tyre si “agjentë të huaj” përbën “frikësim”.

“Gjykata gjeti se legjislacioni që aplikohet aktualisht është stigmatizues, mashtrues dhe përdoret gjerësisht dhe në mënyrë të paparashikueshme. Kjo bëri që gjykata të vjen në përfundim se qëllimi i ligjit është të ndëshkojë dhe frikësojë, e jo të adresojë ndonjë pretendim për nevojën për transparencë apo shqetësime legjitime lidhur me sigurinë kombëtare”, u tha në vendim.

Gjykata po ashtu kritikoi shpërbërjen e organizatave të njohura sikurse Memorial dhe Lëvizja për të Drejtat e Njeriut, nën pretekstin se kanë shkelur rregullat për “agjentët e huaj”. Ligjet ruse kanë kufizuar jo vetëm aktivitetet e tyre publike, por edhe pjesëmarrjen e tyre në procesin zgjedhor dhe qasjen në mbështetjen shtetërore.

SHARE