MINISTRI DUKAJ NË HUNGARI / TAKIME ME MINISTRIN E EKONOMISË DHE PËRFAQËSUES TË GRUPIT 4G

Gjatë vizitës zyrtare në Hungari, ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka takuar ministrin e Ekonomisë Kombëtare të Hungarisë, Marton Nagy, si dhe me përfaqësuesit kryesorë të grupit 4G, presidentin dhe CEO të kompanisë, Gellert Jasai.

Ministri Dukaj, siç thuhet në njoftim, përshëndeti marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet Malit të Zi dhe Hungarisë dhe vuri në dukje se përvoja e Hungarisë në fushën e reformës së administratës publike dhe në fushën e digjitalizimit është e një rëndësie të madhe për Malin e Zi, andaj e informoi ministrin Nagy për prioritetet në punën e Ministrisë së Administratës Publike dhe aktivitetet në ngritjen e administratës publike moderne.

“Qëllimi ynë është krijimi i një administrate publike efikase, të orientuar drejt shërbimeve dhe transparente, në nivel shtetëror dhe vendor, e cila karakterizohet nga besimi më i madh i qytetarëve në punën e saj dhe afrimi i saj me standardin dhe nivelin e vendeve anëtare të BE-së,“ tha Dukaj.

Dukaj tha se reforma në administratën publike është një nga shtyllat e negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe transformimi digjital në Mal të Zi ka potencial për të përmirësuar efikasitetin e administratës publike dhe shërbimet e ofruara për qytetarët dhe ekonominë.

“Mbështetja e Hungarisë është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e interesit të shprehur për partneritet me Qeverinë e Malit të Zi, me qëllim arritjen e vizionit të një Mali të Zi elastik dhe digjital”, tha Dukaj.

Ministri Nagy tha se Mali i Zi ka bërë progres në reformën e administratës publike dhe vuri në dukje se Mali i Zi mund të llogarisë në mbështetjen e Hungarisë në drejtim të ekspertizës dhe pjesëmarrjes së përbashkët në projekte me rëndësi për punën e administratës publike, transformimin digjital dhe sigurinë kibernetike.

Në një bisedë me përfaqësuesit kryesorë të grupit 4G, të cilët bënë një investim të konsiderueshëm në Mal të Zi duke blerë kompaninë One, u theksua rëndësia e inovacionit dhe progresit teknologjik në kontekstin e transformimit digjital, si dhe ofrimi i një game të gjerë shërbimesh IT dhe zbatimi i teknologjive të avancuara, duke përfshirë inteligjencën artificiale, infrastrukturën e IT dhe menaxhimin e të dhënave dhe mbështetjen në digjitalizimin e sektorit publik.

SHARE