OPOZITA BLLOKON SEANCËN E KUVENDIT DHE MIRATIMIN E BUXHETIT

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, në rendin e ditës së së cilës ndër të tjera ishte edhe Projektligji i Buxhetit për këtë vit, nuk u mbajt pasi opozita bllokoi foltoren.

Pasi kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, hapi seancën, deputetët e opozitës u ngritën nga vendet e tyre dhe dolën para tij.

“Shikoni se në çfarë kushtesh punojmë, ndërkohë që duhet të diskutojmë një çështje të rëndësishme. Autoriteti i Kuvendit po vihet në pikëpyetje”, tha Mandiq.

Ai paralajmëroi se deputetët që u ngritën nga vendet e tyre, do të marrin masa ndëshkuese me shkrim. Mandiq nuk specifikoi se kur do të vazhdojë seanca.

Opozita tha se nuk do të heqë dorë nga bllokada, sepse është kryer grushtshtet kushtetues.

Opozita i ka penguar seancat parlamentare që nga 20 dhjetori, duke kërkuar që të anulohet vendimi për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Dragana Gjuranoviq, i marrë po atë muaj.

Sipas opozitës, ky vendim ka qenë i paligjshëm.

Opozita tha se nuk do të lejojë mbajtjen e seancës së Kuvendit deri në plotësimin e kërkesave.

SHARE