NË MAL TË ZI JANË REGJISTRUAR 10 RASTE TË FRUTHIT

Nga data 28 mars deri më 19 korrik janë regjistruar 10 raste me fruth në Mal të Zi, njoftoi Instituti për Shëndet Publik.

ISHP thekson se e vetmja masë reale parandaluese është vaksinimi, i cili kryhet me një vaksinë të kombinuar kundër fruthit, shytave dhe rubeolës.

“Vaksinimi i plotë nënkupton marrjen e dy dozave të vaksinës, doza e parë e të cilave duhet të merret sa më shpejt që të jetë e mundur pasi që mbush 1 vit. Vaksina është e sigurt dhe shumë efektive, dhe marrja e vaksinës në kohë është veçanërisht e rëndësishme”, shtuan ata në njoftim.

Instituti për Shëndet Publik i Malit të Zi u bën thirrje edhe një herë prindërve që të vaksinojnë fëmijët pa vonesë. 

“Të gjithë fëmijët që kanë mbushur moshën një vjeç dhe nuk kanë kundërindikacione mjekësore të deklaruara me shkrim nga mjeku duhet të marrin dozën e parë të vaksinës së fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR), dhe fëmijët që përgatiten për të hyrë në shkollë duhet të vaksinuar me dy doza këto vaksina”, thonë nga ISHP.  

Gjithashtu, ata këshillojnë të shmangin çdo lloj bashkimi dhe qëndrimi në grup.

SHARE