EMISARI GJERMAN: SERBIA NUK MUND TË ANËTARËSOHET NË BE PA E NJOHUR KOSOVËN

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha të enjten se qëndrim i Berlinit është se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, pa e njohur Kosovën. Duke folur për gazetën serbe Nova, Sarrazin tha se hyrja e Serbisë në familjen e vendeve evropiane “nuk është e mundur as pa mediat e lira dhe demokraci”. “Ne, nga Gjermania, kemi pasur gjithmonë qëndrim shumë të qartë për këtë çështje – para përfundimit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, kur Serbia të vendosë për anëtarësim në BE, njohja e Kosovës do të jetë pjesë e procesit”, tha Sarrazin. Ai shtoi se një gjë e tillë “është diçka që Gjermania gjithsesi e pret”, dhe se “kjo është shprehur qartë nga kancelari Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Serbi, në qershor të vitit të kaluar”. Sarrazin tha se BE-ja është udhëheqësja e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe se është e domosdoshme që palët të arrijnë marrëveshje sa më shpejt që është e mundur.

SHARE