RUSIA KRYEN SULME VDEKJEPRURËSE NË ZAPORIZHJA

Rusia ka shënjestruar Zaporizhjën gjatë natës me disa raketa, një prej të cilave ka goditur një ndërtesë banimi në qytetin jugor ukrainas, duke vrarë dhe plagosur një numër njerëzish, thanë autoritetet lokale më 18 tetor, përderisa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dënoi sulmin dhe tha se “terrori rus duhet të humbë”.

Anatoliy Kurtev, ushtrues i detyrës së kryetarit të Zaporizhjës shkroi në Telegram se gjashtë shpërthime goditën qytetin, pasi guvernatori rajonal urdhëroi për lëshimin e alarmeve paralajmëruese për sulme ajrore.

Shpërthimi shkatërroi katin e tretë, të katërt dhe të pestë të ndërtesës së banimit, tha Ministria e Brendshme, duke shtuar se 50 banorë u evakuan.

“Raketat e terroristëve sulmuan qytetin, infrastrukturën dhe një ndërtesë banimi. Tetë banesa u shkatërruan. Ka të vrarë dhe të plagosur. Shumë njerëz janë nën rrënoja”, shkroi Zelensky në Facebook.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë thanë se të paktën tre persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur.
Alarmet për sulme ajrore janë lëshuar edhe në Dniporpetrovsk, Herson dhe Mikolajiv.

Rusia, që kur ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, vazhdimisht ka shënjestuar nga ajri qytetet ukrainase, duke vrarë dhe plagosur civilët dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën civile dhe atë të energjisë.

Ndërkaq, Moska ka pretenduar se ka zmbrapsur sulme me dronë nga Ukraina anë Krimenë e pushtuar dhe në dy rajone ruse.

SHARE