Evropa vijon përballjen me zjarret, si pasojë e temperaturave ekstreme që kanë përfshirë kontinentin gjatë kësaj vere.
Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), këtë vit në Evropë janë djegur tashmë rreth 576 mijë hektarë, një sipërfaqe afërsisht dy herë më e madhe se territori i Luksemburgut.
Pavarësisht rënies së temperaturave në disa zona, pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore, Jugore dhe Qendrore vijojnë të jenë në rrezik të lartë nga zjarret.
Rreziku ekstrem nga zjarret është bërë gjithnjë e më i zakonshëm gjatë verës evropiane vitet e fundit.
Temperaturat më të larta dhe kushtet më të thata, të ndikuara nga ndryshimet klimatike, kombinohen me faktorë të tjerë, si braktisja e zonave rurale.
Kjo ka favorizuar grumbullimin e bimësisë së thatë dhe lehtësisht të ndezshme në pyje, duke krijuar kushte të përshtatshme për përhapjen e shpejtë të flakëve.
Sipas të dhënave evropiane, rreth 90 për qind e zjarreve pyjore lidhen me aktivitetin njerëzor, përfshirë zjarret e ndezura në mënyrë të pakujdesshme gjatë kampingut, si dhe hedhjen e cigareve të ndezura.









