NEGOCIATAT, KONFERENCA NESËR NË BRUKSEL

Nesër në Bruksel, Maqedonia e Veriut mban Konferencën e parë Ndërqeveritare me BE-në, në të cilën kryeministri Dimitar Kovaçevski do të lexojë deklaratën hyrëse në gjuhën maqedonase. Fill pas kësaj, nis verifikimi që do të zgjasë një vit e gjysmë dhe pas përfundimit të atij procesi është planifikuar konferenca e radhës ndërqeveritare, e cila do të përfundojë fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim dhe mbajtja e saj kushtëzohet me ndryshimet në Kushtetutë. Mbajtja e konferencës u mundësua pas miratimit që iu bë në parlamentit maqedonas propozimit të shumëdiskutuar francez. Drita jeshile erdhi në formën e aprovimit të disa konkluzioneve që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas. Propozimi francez parashikon kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike, ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë. Për gati dy vjet, Bullgaria, shtet anëtar i BE-së, mbajti në fuqi veton për nisjen e negociatave mes bllokut dhe Shkupit, për shkak të mospajtimeve sa i përket historisë dhe gjuhës maqedonase. 25 figura të qeverisë dhe administratës të përfshira në procesin e integrimit do të përbëjnë delagacionin  shqiptar që do të marrë pjesë në  Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE të martën në Bruksel. Delegacioni kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, e në krah të tij do të jenë dhe ministrja e jashtme, Olta Xhaçka, kryenegociatori Zef Mazi, si dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë proces. Takimi të zgjasë 90 minuta e pas tij, do të ketë një konferencë për shtyp. Delegacioni i BE drejtohet nga shefi i diplomacisë ceke, vend i të cilit mban presidencën e radhës së bllokut si dhe përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme Josep Borrell dhe Komisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi, të cilët e kanë mbështetur me forcë hapjen e shpejtë të kësaj konferencë, çka u mundësia pas zhbllokimit që i bëri parlamentit maqedonas ngërçit të krijuar me Bullgarinë, përmes miratimit të propozimit francez ditën e shtunë.

SHARE