STOLTENBERG: NUK MUND TA MARRIM PAQEN DHE SIGURINË SI TË GARANTUAR

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u ka thënë gazetarëve të enjten, 17 mars se, “lufta e presidentit (rus, Vladimir) Putin ka shkundur paqen dhe ka shokuar botën”. Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Berlin. Shefi i NATO-s ka lavdëruar forcat e Kievit dhe është zotuar se do të vazhdojë mbështetja për to, “në mënyrë që të shfrytëzojnë të drejtën për vetëmbrojtje, siç e parasheh Karta e Kombeve të Bashkuara”. Ai ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen ushtarake dhe atë humanitare për Ukrainën dhe ka thënë se “NATO-ja ka përgjegjësi për të parandaluar këtë luftë nga përshkallëzimi i mëtejmë”, si dhe ka paralajmëruar vendet anëtare të bllokut të sigurisë se “ne nuk mund të marrim si të garantuar paqen dhe sigurinë”. “Dje, ministrat e Mbrojtjes kanë nisur të shqyrtojnë se çfarë duhet të bëjmë për të rritur mbrojtjen tonë në periudhë afatgjatë. Kjo gjë do të kërkojë rritje të madhe të investimeve në mbrojtje”, ka thënë Stoltenberg. Ndërkohë, Scholz ka thënë se Gjermania ka rritur fondet për forcat e armatosura të saj, për të siguruar se “NATO është e gatshme të përmbushë detyrat dhe mandatin që ka”.

SHARE