Kombet e Bashkuara apeluan për mbledhjen e 1 miliardë dollarëve për të prekurit nga tërmetet e 6 shkurtit që morën mbi 42 mijë jetë njerëzish në Turqi e Siri.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres sqaroi se fondet do t’i sigurojnë 5.2 milionë personave ndihmë humanitare për tre muaj.
“Këto para do të lejojnë organizatat e ndihmës të shtojnë mbështetjen jetike përfshirë edhe në fusha si siguria ushqimore, mbrojtja, arsimi, uji e strehimi. Nevoja është shumë e madhe, njerëzit po vuajnë dhe nuk ka kohë për të humbur. I kërkoj komunitetit ndërkombëtar të shtojë përpjekjet dhe të financojë plotësisht këtë përpjekje kritike në përgjigje të njerëz prej katastrofave më të mëdha natyrore të kohës sonë”, tha Antonio Guterres, sekretar i OKB-së.
“Turqia është shtëpia e numrit më të madh të refugjatëve në botë dhe ka treguar bujari të madhe me fqinjët e saj sirianë përgjatë viteve”, kujtoi Guterres.
“Tani është koha që bota ta mbështesë popullin turk – ashtu siç tregoi ai solidaritet me vendet tjera kur i kërkuan ndihmë”, shtoi ai.
11 ditë pas katastrofës, 5 persona janë nxjerrë të gjallë nga gërmadhat. Dy prej tyre 34 vjecari Mustafa Avcı, dhe Mehmet Ali Şakiroğlu, 26 u gjetën nën rrënojat e një spitali në provincën e Hatay-t tejet të dobësuar dhe të plagosur, megjithatë janë jashtë rrezikut për jetën. Gjëja e parë që bëri Avcı në momentin kur u mor me barel ishte që kërkoi të fliste me të motrën, të cilën e pyeti nëse ishin gjallë të afërmit e tjerë, e më pas i lehtësuar, i puthi dorën punonjësit që e shpëtoi.