ABAZOVIQ NË DAVOS: PRITEN TAKIME ME DREJTUES TË SHUMTË DHE PËRFAQËSUES TË KOMPANIVE ME FAMË BOTËRORE

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, nga sot do të marrë pjesë në Takimin Vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku do të takohet me liderë të shumtë botërorë dhe përfaqësues të kompanive me famë botërore. “Kemi mbërritur në Davos për Forumin Ekonomik Botëror. Një numër i madh takimesh të rëndësishme na presin me liderë të shumtë botërorë, kompani prestigjioze dhe investitorë. Ekonomia dhe standardi i jetesës janë në fokus. Jemi në rrugën e duhur”, ka shkruar Abazoviq në Twitter.  Forumi Ekonomik Botëror po mbahet me temën “Bashkëpunimi në një botë të fragmentuar”, do të zgjasë deri më 20 janar dhe në takim do të mblidhen një numër rekord biznesmenësh, përfaqësues të kompanive më të mëdha botërore, liderë shtetërorë dhe personazhe të famshëm. Krerët e 52 shteteve, 56 ministra të financave, 19 guvernatorët e bankave qendrore, 30 ministra të tregtisë dhe 35 ministra të punëve të jashtme, përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe do të marrin pjesë shumë organizata të tjera ndërkombëtare. “Kryeministri pritet të ketë një sërë aktivitetesh dhe takimesh me liderë rajonalë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, kompani të njohura botërore, si dhe pjesëmarrje në seancën “Dialogu Diplomatik për Ballkanin Perëndimor”, njofton Qeveria.

SHARE