SCHOLZ NË KIEV: KJO LUFTË DUHET TË PËRFUNDOJË

Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë takuan në Kiev presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për t’i shprehur solidaritetin e Evropës me vendin e tij, të pushtuar nga Rusia. Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri italian, Mario Draghi, dhe presidenti rumun, Klaus Iohannis, shtrënguan duart me Zelenskyn, përpara se të fillonin bisedimet. Më herët, Ukraina ka kritikuar Francën, Gjermaninë dhe, deri në një masë Italinë, për, siç ka thënë, hezitime në mbështetjen e tyre për Kievin dhe ka thënë se ato janë të ngadalshme në dërgimin e armëve. Katër udhëheqësit, të cilët udhëtuan në Kiev me tren, kaluan më herët nëpër rrënojat e periferisë së kryeqytetit, Irpin. Scholz shkroi në Twitter se Irpini, ashtu sikurse Buça – ku trupat ruse janë akuzuar për krime lufte – është bërë simbol i “mizorisë” së pushtimit të Ukrainës nga Rusia. “Irpini, ashtu si Buça, është bërë simbol i mizorisë së paimagjinueshme të luftës ruse, i dhunës së pakuptimtë. Shkatërrimi brutal i këtij qyteti është një paralajmërim: kjo luftë duhet të përfundojë”, shkroi Scholz. Draghi, duke qëndruar në mesin e rrënojave, tha se ushtria ruse “ka shkatërruar kopshte, ka shkatërruar kënde të lojërave”. “Gjithçka do të rindërtohet”, premtoi ai. Duke reaguar ndaj vizitës së liderëve të BE-së, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i paralajmëroi ata kundër furnizimeve të reja të Ukrainës me armë. “Unë do të doja të shpresoja se udhëheqësit e këtyre tri shteteve dhe presidenti i Rumanisë nuk do të fokusohen vetëm në mbështetjen e Ukrainës, duke e pompuar atë edhe më shumë me armë”, u tha Peskov gazetarëve.

SHARE