GJUKANOVIQ, VIZITË ZYRTARE NË SLLOVAKI

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Sllovaki, u mirëprit në Bratislavë me nderimet më të larta ushtarake dhe shtetërore. Gjukanoviq udhëtoi në Bratislavë me ftesë të koleges së tij Sllovake Zuzana Çaputova. “Mali i Zi dhe Sllovakia janë miq historikë dhe na takon neve të tregojmë respekt për atë traditë dhe ta azhurnojmë atë,” shkroi Gjukanoviq në Twitter. “Evropianizimi intensiv i rajonit të Ballkanit Perëndimor është përgjigja e vetme ndaj problemeve të tilla si restaurimi i disa politikave retrograde, nacionaliste dhe projekteve në shkallë të gjerë në rajonin tonë,” tha Presidenti Gjukanoviq gjatë vizitës së tij në Sllovaki. Ai vuri në dukje se Mali i Zi është i përkushtuar në riparimin e problemeve shëndetësore dhe në të njëjtën kohë u përqendrua në përpjekjet që duhet të kontribuojnë në rinovimin e aktivitetit ekonomik sa më shpejt të jetë e mundur. Presidentja e atij vendi, Zuzana Çaputova shprehet e bindur që Mali i Zi së shpejti do të ketë përsëri një ekonomi shumë dinamike. Gjithashtu, siç shtoi ajo, ata do të jenë shumë proaktivë në drejtim të përmirësimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kulturës. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Bratislavë, Presidenti Gjukanoviq do të jetë mysafiri ekskluziv i konferencës “Ballkani Perëndimor: Një pjesë kryesore e enigmës së sigurisë evropiane” të organizuar nga GLOBSEC. Vizita zyrtare e Presidentit Gjukanoviq në Sllovaki përfaqëson një vazhdimësi të dialogut në nivelin më të lartë dhe një konfirmim të marrëdhënieve miqësore, si dhe një mundësi për bisedime më të hollësishme mbi marrëdhëniet dypalëshe, proceset në rajon, integrimin evropian dhe bashkëpunimin brenda NATO-s.

SHARE